Ylli kilian, Aleksis Sançez, i Arsenalit do të largohet nga “Emirati” dhe do të nënshkruajë kontratë me Mançester Sitin, gjatë ditëve të ardhshme, njofton “Marka” spanjolle. Sançezi, në fakt, gjatë verës së kaluar, ishte vetëm një hap larg Sitit, por transferimi dështoi në momentin e fundit, pasi objektivi nr.1 i Arsen Vengerit, Tomas Lemar i Monakos, kundërshtoi që të vinte në Londër. Kurse, tani, Arsenali nuk ka opsion tjetër, veçse të shesë Sançezin dhe të fitojë “ca” para, sepse, verën e ardhshme, përfundon kontrata me futbollistin kilian dhe ai, po nuk u shit tani, do të bëhet lojtar i lirë në verë.
Trajneri i Sitit, Guardiola, nuk heq dorë nga opsioni Sançez, pasi ai ka nevojë për përforcime të reja që ta bëjë më të madh rotacionin në ekipin e tij gjatë këtij sezoni mjaft intensiv dhe kalendarit të ngjeshur të ndeshjeve që ka bërë që disa lojtarë të pësojnë dëmtime. Gabriel Zhesusi do të pauzojë gjashtë javë, kurse David Silva ndodhet jashtë ekipit për arsye familiare, kështu që Guardiola ka nëvojë për sulmues.
Sfidanti.al