Humb shumë raste, por është Topi i Artë i Afrikës, ky është Salah!

Për Jurgen Klopin është një nga lojtarët më të mirë, ndërsa për staticienët e Premier Ligës është futbollisti që humb më shumë raste se të gjithë, duke lënë pas edhe Alvaro Moratën. Gjithsesi, Mohamed Salah triumfoi në garën për Topin e Artë të Afrikës, me ata që e votuan që patën të njëjtin mendim si trajneri i Liverpulit. Futbollisti i “të kuqve” dhe i Egjiptit la pas shokun e skuadrës tek Liverpuli, Sadio Mane, ndërsa i treti doli sulmuesi i Dortmundit, Pjer-Emerik Obamejang.

Salahu 25-vjeçar mori 625 vota nga trajnerët e kombëtareve të Afrikës, kapitenët dhe gazetarë e zyrtarë. Federata e Futbollit e Afrikës e shpalli me diferencë si Futbollistin më të mirë të vitit, ndërsa Salah ka shënuar 23 gola për Liverpulin që nga gushti kur u bashkua nga Roma. Po ashtu, ai shënoi golin që e kualifikoi Egjiptin për në finalet e Kupës së Botës në Rusi.

Sfidanti.al