Mbetet rekordmeni i golave të kësaj skuadre dhe besohet se do të jetë edhe për shumë kohë. Edinson Kavani është padyshim një legjendë e Paris Sen Zhermenit, veçse sonte ai mund të jetë fatal për francezët në Champions. Nënkampionia e Europës mbërrin në “Old Traford” dhe i duhet rezultat, pse jo fitore, për të pasur mundësi të kualifikohet për në turin e dytë të Championsit, veçse një Kavani në formë dhe i motivuar mund të jetë i rrezikshëm.
“Ai është gati për të luajtur, – tha trajneri i tij, Ole Gunar Solskjer, – është e veçantë që të luajë kundër PSG-së. E di se kjo do t’i japë energji. Gjatë këtyre ditëve punoi për të qenë i qetë nga ana psikologjike, për të qenë gati”. Solskjeri ka të drejtë sepse 33-vjeçari pati një problem pas fitores 3-2 në Premier Ligë me Mançester Junajtidin në fushën e Sauthemptonit. Ai shënoi dy gola, por postoi një mesazh në rrjetet sociale duke shkruajtur për një tifoz, “faleminderit negrito”, diçka që në Angli është problem, dhe uruguajani mund të dënohet me 3 ndeshje pezullim. Gjithsesi, së pari ai dëshiron të luajë sonte ndaj Paris SG në Champions.
Renditja: Man. Junajtid 9 pikë, PSG 6, Lajpcig 6, Istanbul Bashaksehir 3.
Sfidanti.al