Karim Benzema kurorëzohet sonte me “Topin e Artë”!

Ka gjithë jetën që e ndjek këtë ëndërr. U duk sikur ishte e shkruar që të mos e realizonte kurrë, por ndonjëherë është mirë të besosh deri në fund. Karim Benzema u desh që t’i shkojë shumë pranë moshës 35-vjeçare, që e mbush tani shpejt në dhjetor, për të merituar nderimin më të lartë individual që mund të marrë një futbollist. Superylli francez i Realit të Madridit është praktikisht fitues i Topit të Artë të revistës “Frans Futboll”, që dorëzohet sonte në Paris. Ceremonia spektakolare do të nisë në 20:30 në kryeqytetin francez, dhe Benzemaja do ta marrë trofeun nga duart e legjendës Kristiano Ronaldo, ish-shokut të tij tek Reali. Francezi tepër i talentuar do të jetë pikërisht një pasardhës i dy superyjeve si Ronaldo dhe Lionel Mesi që kanë dominuar Topin e Artë për 15 vjet. Ai do të bëhet i dyti lojtar, pas Luka Modriçit, që prish diktataturën e Ronaldos e Mesit që nga 2008-ta.

E vërteta është që gjithçka është e merituar, pasi Reali i Benzemasë fitoi titullin kampion në La Ligën e Spanjës, si dhe Championsin në finalen ku pati fat ndaj Liverpulit. Vetë Benzema doli shënuesi më i mirë edhe i La Ligës, edhe i Championsit. Në garë për Topin e Artë sonte do të jenë gjithsej 30 futbollistë, mes të cilëve Ronaldo, Mbape, Nejmar, Haland apo Levandovski, ndërsa Lionel Mesi nuk është përzgjedhur. Argjentinasi është rekordmen me 7 trofe, ndaj 5 të Ronaldos, ndërsa ky do të jetë edicioni i parë kur çmimi do të jepet në bazë të sezonit, dhe jo të vitit kalendarik.

Sfidanti.al