Kanelo Alvarez fiton, publiku hidhet kundër Soundersit!

Disa kohë më parë kishte kritikuar njërin nga ish-kampionët, Dybuanë, që nuk deshi të vazhdonte ndeshjen sepse pati një sy të dëmtuar shumë keq. Billi Xho Sounders duket se kishte folur para kohe sepse ai u detyrua ta linte pa përfunduar sfidën për titullin botëror në peshat e mesme të boksit profesionist ndaj Saul “Kanelo” Alvarezit. Mjeshtri meksikan po kryesonte me pikë pas raundit të 8-të, kur trajnerët e Soundersit deklaruan se boksieri i tyre nuk do të dilte në ring sepse kishte thyer një kockë të syrit. Meksikani u shpall kampion absolut i botës në ringun e Arenës në Teksas, në prani të rreth 73 000 tifozëve, shumica me origjinë meksikane, ose që ishin meksikanë dhe kishin ardhur të shihnin heroin e tyre. Alvarez kryesonte me pikë tek të tre gjyqtarët 78-74, 77-75 e 78-74. Publiku u hodh me kritika në rrjetet sociale pas fjalëve të papeshuara të boksierit britanik, ndërsa vetë humbi në të njëjtën mënyrë. Alvarez, ndërkaq, mund të cilësohet si më i miri në botë në këtë sport “kilogram për kilogram”, ndonëse një titull të tillë e kërkon edhe Tajson Fjuri në peshat e rënda. Sfidat më të forta meksikani i pati me Genadi Golovkinin nga Kazakistani (me origjinë ruse), një nga boksierët më të mëdhenj në histori, që përfunduan me një barazim dhe një fitore të Alvarezit, ndonëse përfundimi krijoi shumë debat.

Sfidanti.al