Kampionët e rinj dhe të vjetër të Gjermanisë nuk janë keq për përgëzime, madje mund të thuhet se u kanë ardhur në majë të hundës. Nëse do të ishte koha e zarfeve me letra, do të duhej ndonjë sirtar gjigand për t’i mbajtur e ndoshta do të ishte dashur një pyll i tërë për t’u prerë që të prodhohej letra e duhur. Gjithsesi, përshëndetja e Policisë së Mynihut ishte vërtet e veçantë.
“Prej 9 vitesh konkurrenca është zhdukur nga Bundesliga. Nëse merrni informacion për të, lajmëroni ju lutemi klubin e Bajernit ose rajonin e policisë në Mynih”. Kështu ishte urimi në faqen zyrtare të policisë së qytetit në Tuiter, që vazhdonte: “Përgëzimet më të përzemërta për titullin. Të dashur tifozë, rregullat për Kovidin mbeten në fuqi edhe kur del kampion. Ne në Mynih nuk bëjmë shaka me këto gjëra”. Kjo do të thotë se festimet edhe këtë herë do të jenë shumë të zbehta, jo si festat e birrës me të cilët është mësuar publiku bavarez të kremtojë triumfet në Bundesligë prej 9 vitesh.
Sfidanti.al