U duk punë e lehtë për gazetarët në tribunën e shtypit në “Kamp Nou” të shkruanin artikullin për ndeshjen Barcelona-Paris SG. Në minutën e 62-të, Edinson Kavani sapo kishte shënuar dhe titulli i shkrimit fare mirë mund të ishte “Perdja ra shpejt për fushatën e Barcelonës në Champions, edhe pse katalanasit bënë paraqitje madhështore”. Gishti i gazetarit ishte pranë butonit “dërgoje”, në pritje të vërshëllimës së fundit të gjyqtarit, pasi PSG kishte fituar 4-0 në Francë, dhe Barça kryesonte “vetëm” 3-1.
Në momentet e fundit, pasi Nejmar shënoi shumë bukur në goditje dënimi, në shkrim mund të futej një fjali për “golin e ngushëllimit”, dhe si formalitet. Por, në minutën e 90-të Nejmar shënoi golin e dytë të ngushëllimit dhe rezultati shkoi në 5-1. Çfarë do të ndodhte nëse këta nuk do të ishin thjesht gola ngushëllimi? Po sikur të ndodhte përmbysja më e madhe e të gjitha kohëve?
Gazetari i “Sports Meilit”, Pit Xhonson, tregon se kur Sergi Roberto shënoi golin e kualifikimit në minutën 94 e 29 sekonda, ai e hoqi gishtin nga butoni ”dërgoje” dhe u bë gati të shkruante nga e para një raport me 900 fjalë. Kjo jo sepse Xhonsoni ishte tifoz me Barcelonën, përkundrazi. Edhe kualifikimi i PSG-së do të kishte qenë histori e bukur. Arsyeja që ai e ndryshoi krejt shkrimin ishte se kishte ndodhur diçka e pangjashme, dhe se gazetari anglez ndihej po ashtu si 90 000 tifozët e Barcelonës në stadium. Vetëm ashtu, shkrimi mund të ishte i duhuri.
Pit Xhonson është gazetar me përvojë, që ka ndjekur rreth 400 ndeshje futbolli. Ka parë përmbysjen e Man. Junajtidit ndaj Bajernit në 1999, katër gola të Mesit ndaj Arsenalit dhe 5 po të Mesit ndaj Leverkusenit, shumë nga 389 golat e Ronaldos në 380 ndeshje për Realin, ka parë Bekamin në Madrid, Garet Bejlin që fitoi Kupën e Mbretit, si dhe golin e minutës së 93-të të Sergio Ramosit në finalen e Championsit në 2014. Kjo e Barcelonës, gjithsesi, ishte më e madhja nga të gjitha.
Sfidanti.al