Një nga zotërinjtë e futbollit e mbyll, loja humb Shabi Alonson!

Një bask i vërtetë, një malësor nga Veriu i Gadishullit Iberik, atje në Pirenej. Një zotëri i vërtetë e dha lajmin siç i kishte hije, pasi më parë kishte zbatuar rregullat që i njeh si profesionist i madh që është. Shabi Alonso, mesfushori veteran iberik, postoi një foto bardhezi në Tuiter, shoqëruar me fjalë lakonike, por tepër të qartë: E jetova! E dashurova! Lamtumirë lojë e bukur”. Kjo shprehje në anglisht ishte njoftimi i 35-vjeçarit se në fund të sezonit do t’i varë këpucët (në foto i ka të hequra) në gozhdë.

Pasi luajti për Real Sociedadin, Liverpulin, Realin e Madridit dhe Bajernin e Mynihut, Shabi Alonso mendoi se ishte koha për të ikur. Në janar lajmëroi drejtuesit bavarezë për vendimin e tij dhe ata e mirëkuptuan dhe e respektuan, por duke lënë një “derë” hapur nëse ai kthente mendje. Njoftimi i bërë tani i jep fund çdo diskutimi.

“Doja ta mbyllja në nivele të larta, – tha basku, – dhe Bajerni është niveli më i lartë. Unë ende ndihem shumë mirë, por mendoj se është më e udhës të largohem tani sesa më vonë”. Ai ka qenë shumë i rëndësishëm për trajnerin Karlo Ançeloti, dhe ishte titullar edhe në Londër ndaj Arsenalit, në Champions. “Alonso lëviz ngadalë, por mendon shpejt”, – ishin fjalët-sintezë të Ançelotit.

Mesfushori ka fituar 3 tituj kampion dhe po shkon drejt të katërtit, ka fituar dy Liga të Kampionëve (Liverpul, Real) dhe shpreson të fitojë të tretën, katër kupa të shteteve ku ka luajtur, tre superkupa kombëtare dhe një Superkupë të Europës. Me Spanjën fitoi Kupën e Botës në 2010 si dhe Kampionatin Europian në 2008 dhe 2012.

Sfidanti.al