Mediat italiane kanë zbuluar linjën mbrojtëse të Juventus për të hequr penalizimin dhe kthimin e 15 pikëve që iu hoqën në renditjen e Serisë A. “Zonja e Vjetër” pretendon se nuk ka një mënyrë të saktë për të përcaktuar vlerën e futbollistëve. Juventus kërkon heqjen e penalizimit dhe kthimin e 15 pikëve në tabelën e renditjes në Serinë A. Pas zyrtarizimit për rekursin nga klubi bardhezi në Kolegjin e Garancisë në Komitetin Olimpik Italian, mediat përtej adriatikut kanë zbuluar edhe linjën mbrojtëse të “Zonjës së Vjetër”. Në katër pika të përshkruara në 90 faqe, avokatët e Juventus e cilësojnë si të pa mbështetur në fakte vendimin për penalizimin e skuadrës në lidhje me proçesin e drejtësisë sportive për “mbivlerësimin e lojtarëve”.
Pika e parë e mbrojtjes juventine ka të bëjë me faktin se nuk ka një një ligj mbi të cilin është dënuar, pasi nuk ka “parametra të përcaktuara” në lidhje me përcaktimin e vlerës së futbollistëve. Një tjetër pikë që kundërshtohet fort nga avokatët e “Zonjës së Vjetër” lidhet me gjykimin në shkallën e parë, ku Juventus nuk u fajësua. Sipas dosjes së zbuluar nga mediat italiane, avokatët pretendojnë se nuk ka fakte të reja. Për këtë arsye, Gjykata e Apelit në Federatën Italiane të Futbollit nuk kishte asnjë arsye për të ndryshuar vendimin e shkallës së parë. Një pikë tjetër në mbrojtjen juventinelidhet me financiat. Ndryshe nga sa pretendohet nga akuza se klubi ka falsifikuar bilancet, llogaritet që vlera e hyrjeve në arkë nga lëvizjet në merkato ze vetëm 3.6% të shumës totale të buxhetit për periudhën 2018/2021, kohë për të cilën Juventus akuzohet se ka vepruar në kundërshtim me rregullat.
Sfidanti.al