Jo vetëm “tiki-taka”, fantazia e Guardiolës në transformimin e Sitit

Padyshim, loja është ajo me pasime pa fund derisa vjen goli, ose derisa kundërshtari “bëhet derr”. Padyshim, mbetet presingu konstant me skuadrën si një e tërë, por Mançester Siti i Guardiolës nuk është një “kopje” e Barcelonës së Guardiolës. Në një skuadër ku nuk mund të kesh Mesin, Ksavin dhe Iniestën, dhe në një futboll që kërkon më shumë “hekur” sesa “diamante”, Pep ka ditur më në fund të përshtatet.

Në një analizë të “Dejli Mejlit” theksohet se mënyra sesi mbrojtësit e krahut dalin përpara dhe sesi veprojnë lojtarët e krahut, ka më shumë Bajern të Guardiolës sesa Barcelona. Ata ndihmohen nga një portier si Ederson që del deri tek mesi i fushës me topin në këmbë, ndërsa aty ndodhet “margaritari” Kevin De Brujn, që dirigjon ritmin e lojës.

Gjithsesi, Guardiola ka sjellë gjithë stafin nga Barcelona. Ata janë ndihmëstrajnerët Domenek Torrent dhe Rodolfo Borrel, trajneri i fitnesit Lorenco Bonaventura, dietistja Silvia Tremoleda dhe kreu i analizës së ndeshjeve Karles Plançart. Edhe Mikael Arteta, që nuk ka pasur përvojë trajnimi, karrierën e ka nisur pikërisht në “Kamp Nou”. Drejtori i futbollit është Çiki Begiristain që ishte tek Barça, dhe shefi ekzekutiv, Ferran Soriano, ka qenë po ashtu te katalanasit.

E gjitha kjo e ndihmoi Pepin të arrinte fitoren e 14-të radhazi, një rekord në Premier Ligë, të bënte nisjen më të mirë në historinë e këtij kampionati dhe të shkëputej 11 pikë nga vendi i dytë.

Sfidanti.al