Italia është superfuqi edhe në volejboll femra: Kampione e Europës!

Rusi, Holandë, Serbi. Kjo është treshja e rivalëve që skuadra e kaltërt e volejbollit për femra kapërceu njërin pas tjetrit për të arritur deri në majë të kontinentit. Ashtu si kombëtarja e futbollit e Roberto Mançinit, edhe kjo e volejbollit të vajzave arriti një sukses të madh duke fituar Kampionatin Europian. Finalja u luajt në Beograd ndaj Serbisë vendase dhe u fitua 3-1 (24-26, 25-22, 25-19, 25-12). Fitore e rëndësishmë në çerekfinale ndaj Rusisë, dikur sunduese e këtij sporti në kontinent e në botë, por që këtë herë pati ekip të ri dhe u mposht 0-3 (20-25, 8-25, 15-25). Nën drejtimin e trajnerit Davide Macanti (Mazzanti) dhe të yllit kryesor Egonu (lojtarja më e mirë e Europianit), Italia fitoi edhe gjysmëfinalen ndaj Holandës 3-1. Italia është 3 herë kampione e Europës dhe dy herë kampione e botës, ndonëse në Lojrat Olimpike nuk ka arritur të fitojë asnjë medalje. Suksesi është i madh sidomos duke pasur parasysh se Rusia është 19 herë kampione e Europës (13 herë si Bashkimi Sovjetik), 7 herë kampione e botës dhe 5 herë kampione olimpike.

Sfidanti.al