Në Poloni humbëm jo vetëm ndeshjen, por shumë më tepër. Kombëtarja shqiptare do të ketë mungesa të rëndësishme në sfidën e sotme ndaj Hungarisë në eleminatoret e Kupës së Botës. Luhet në orën18:00 në “Elbasan Arena”, dhe Hysaj, Bare e Manaj janë të pezulluar për shkak të kartonëve të verdhë që morën në Varshavë. Kjo e dobëson ndjeshëm skuadrën kuqezi, ndërsa trajneri Reja ka në dyshim edhe Sokol Cikalleshin. Sulmuesi që shënoi golin tonë të vetëm në Poloni ka shfaqur probleme me gjurin në seancën e fundit stërvitore ndaj nuk është i sigurt që mund të luajë.
Nëse kavajasi nuk ia del, në vend të tij pritet që Reja t’i besojë Bekim Balajt dhe jo Armando Brojës, e kjo për shkak të karakteristikave të ndryshme të lojtarëve. Në sulm, i sigurt duket Myrto Uzuni, që hyri zëvendësues ndaj polakëve. Ndaj Hungarisë pritet të luhet me skemën e përhershme të Rejës, 3-5-2, dhe Nedim Bajrami besohet se mund të ketë rolin e titullarit për të shtuar potencialin, dhe organizimin e lojës në mesfushë. Dyshime edhe në krahun e djathtë pasi mungesa e Hysajt nuk dihet mirë sesi mund të plotësohet.
Trajneri italian ka provuar Odise Roshin, por ekziston mundësia që në atë pozicion të jetë Doka. Shqipëria do të luajë për fitore, siç u premtua në konferencën për shtyp, ndërsa ka 6 pikë pas 4 ndeshjeve, me dy fitore kundër San Marinos e Andorrës, dhe dy humbje me Anglinë e Poloninë.
Formacioni i mundshëm
Berisha
Kumbulla Gjimshiti Ismajli
Trashi Abrashi Gjasula Bajrami Roshi (Doka)
Uzuni Cikalleshi (Balaj)
Sfidanti.al