Lajmet në Angli janë që Kristiano Ronaldo nuk do të fitojë më shumë se 400 000 paundë stërlina në javë tek Mançester Junajtidi, ndonëse nuk dihet sesi do të jenë klauzolat. Madje, kaq para nuk i fitojnë as të tillë si Romelu Lukaku apo Kevin De Brujni, që shkojnë në 385 apo 375 000 paundë stërlina në javë, ashtu si edhe De Gea. Gjithsesi, mësohet se tek Liverpuli ka dalë Mohamed Salahu dhe ka kërkuar një rrogë prej 500 000 paundësh stërlina në javë. Që kjo nuk është politika e Jurgen Klopit dhe e të kuqve të “Anfildit” kjo dihet, por ndoshta kjo mund të jetë edhe mënyra sesi Salahu mund të sinjalizojë se dëshiron të largohet. Fillimisht, thuhej se sulmuesi nga Egjipti kërkonte thjesht që të ishte më i paguari në ekip, pra mbi 220 000 paundë stërlina në javë që merr Van Dajku. Klop nuk ka komentuar shifrat, por thjesht ka deklaruar se Salah është në formë shumë të mirë dhe një profesionist i madh. Gjithsesi, 500 000 paundë stërlina në javë vështirë se mund të jepen tek Liverpuli.
Sfidanti.al