Nuk ishte favorit në fillim dhe nuk është as tani në finale. Por parashikimet nuk i bëjnë përshtypje Inter dhe Simone Inzagit. Zikaltërit siguruan me meritë një vend në aktin e fundit të Champions League dhe nuk duan të largohen nga Stambolli pa marrë me vete edhe trofeun më të rëndësishëm të futbollit europian për klube. Trajneri zikaltër e di që nuk do të jetë aspak e lehtë, por kjo nuk i zbeh aspak besimin që ka te skuadra e tij. “E dimë se çfarë ndeshje duhet të bëjmë, – thotë ai, E dimë që Siti është skuadra më e fortë në botë dhe e ka treguar këtë duke humbur pak. Por dimë edhe atë që kemi bërë deri tani. Jemi krenarë që kemi arritur deri këtu dhe kemi një mundësi për të shkruar historinë e klubit. Bashkë arritëm deri këtu dhe do të provojmë të bëjmë më të mirën për të fituar”.
Simone Inzagi ka gati edhe kurthin për të ndalur një orkestër perfekte siç është Manchester Siti. Sigurisht që nuk zbulon asgjë, por trajneri ziklatër e di që rreziku numër një për skuadrën e tij ka emrin Haland. “E dimë forcën e Sitit dhe të Halandit, – shprehet Inzagi, – Do të jetë një i vëzhguar special për ne, por ashtu do të jenë edhe disa lojtarë të tjerë. Kemi punuar shumë, por duhet një punë skuadre për të limituar kundërshtarët”. Përpara finales së Champions, Inter rikuperoi të gjithë lojtarët, përfshirë Korrea dhe Mikitarian. Të dy zhvilluan edhe seancën e fundit stërvitore, megjithëse nuk është e sigurt 100% se mesfushori armen do të zbresë në fushë nga minuta e parë. Pak dyshime sa i përket sulmit, ku Lautaro Martinez është pikë fikse, ndërsa Xheko i favorizuar ndaj Lukakut për një vend në formacion.
Sfidanti.al