Elseid Hysaj dhe Taulant Seferi ishin dy lojtarët e radhës që u bashkuan me kombëtaren gjatë se premtes në ditën e pestë të përgatitjeve për sfidat e qershorit në eliminatoret e Euro 2024 kundër Moldavisë dhe Ishujve Faroe. Dy lojtarët e fundit që priten të bëhen pjesë e skuadrës kuqezi janë Jasir Asani dhe Kristjan Asllani, që është i impenjar me Inter në finalen e Champions. Me ekpin thuajse të plotë, Silvinjo ka nisur të implementojë skemat dhe idetë e tij për të arritur fitoret në dy sfidat e ardhshme.
Kjo u konfirmua edhe nga vendimi që seanca stërvitore e së premtes të zhvillohej me dyer të mbyllura, ndërsa në komentin që shoqëronte pamjet e publikuara nga Federata Shqiptare e Futbollit thuhej se të gjithë futbollistët nuk kanë probleme fizike. Me ekipin thuajse të plotë, Silvinjo do të braktisë për herë të parë gjatë këtij grumbullimi “Shtëpinë e Futbollit” për t’u transferuar në “Elbasan Arena” për një ndeshje kontrolli brenda grupit, që mund të vendosë shumë edhe për skemat dhe formacionin që do të zbresë në fushë për ndeshjen e 17 qershorit kundër Moldavisë.
Sfidanti.al