Tashmë është zyrtare. Hansi Flik është trajneri i ri i Gjermanisë, i prezantuar nga drejtuesit e Federatës Gjermane të Futbollit. Ish-tekniku i Bajernit firmosi kontratë deri në 2024, pra parashikohet që ta drejtojë kombëtaren në Kupën e Botës verën e ardhshme, dhe në Europianin e vitit 2024. Ai zëvendëson ish-trajnerin Joakim Lëv i cili pranoi të jepte dorëheqjen një vit para përfundimit të kontratës, dhe cikli i të cilit u kuptua që përfundoi që pas eleminimit në grup në Kupën e Botës në Rusi në 2018. Gjithsesi, në Europianin e kësaj vere në stol do të vazhdojë të jetë Lëvi.
Fliku ka qenë më praë pjesë e kombëtares së Gjermanisë, si ndihmës i Joakim Lëvit, duke fituar së bashku Kupën e Botës në vitin 2014 në Brazil. Ai ishte në atë post nga 2006 deri në 2014, ndërsa më pas u bë drejtor teknik i kombëtares deri në vitin 2017. Detyra e tij e ardhshme ishte ajo e drejtorit sportiv tek Hofenhajmi në Bundesligë po atë vit, ndërsa në 2019 zëvendësoi Niko Kovaçin tek Bajerni. Në Mynih, Hansi Flik arriti kulmin e karrierës duke fituar 7 trofe, mes të cilave dy tituj në Bundesligë, Championsin, Kupën e Botës për Klubet, Superkupën e Europës, Superkupën e Gjermanisë dhe Kupën e Gjermanisë. Tashmë ai po kthehet në kombëtare, në një ambient që e njeh shumë mirë, por tashmë në rolin kryesor, atë të trajnerit, me shpresë që të përsërisë sukseset që pati tek Bajerni.
Sfidanti.al