Hamilton thumbon Verstapenin, pastaj e mund edhe në prova

Në garën për titullin botëror në Formula 1 duket se kampioni në fuqi do të zhvillojë jo vetëm një betejë në pistë, por edhe jashtë saj. Ljuis Hamilton deklaroi se Maks Verstapen nuk e ka auerolën e Sebastian Fetelit, të cilin e konsideron si rivalin më të madh që ka pasur në karrierë, ndërsa holandezin e quan një klas më poshtë. Hamilton i dha një tjetër goditje pilotit të Red Bullit ndërsa fitoi provat zyrtare në Çmimin e Madh të Emilia-Romanjës, në pistën legjendare të Imolës. Jo vetëm kaq, por pas anglezit doli piloti tjetër i Red Bullit, Sergio Perez, ndërsa Verstapen ishte i treti. Në vend të katërt, Sharl Lëklerk me Ferrari, ndërsa Valteri Botasi me Mercedesin e dytë u mjaftua vetëm me vendin e 8-të. Hamilton, 7 herë kampion i botës, është favorit për fitoren e garës me Mercedesin e tij, ndërsa fitoi dhe garën e parë të kampionatit botëror pas një lufte të ashpër me Verstapenin.

Sfidanti.al