Kundërshtari kishte 7 ndeshje radhazi që fitonte, por seritë edhe e kanë një fund. Marshimi i Los Anxhelos Klipersave drejt kreut të Konferencës Perëndimore pati një pengesë në Filadelfia, ku Zhoel Embijd fitoi duelin me Pol Xhorxhin. Ishte një fitore e vuajtur, 106-103, ndonëse fillimisht u duk se do të ishte e lehtë. Embijd shënoi 36 pikë dhe kapi 14 topa në tabela, ndërsa “Siksersat” e mbajtën edhe më tej kreun në Konferencën Lindore. Pol Xhorxh gjithashtu luajti shkëlqyeshëm duke shënuar 37 pikë dhe kapur 9 topa në tabela. Gjithsesi, Klipersat vuajtën mungesën e yllit kryesor, Kauai Leonard që ka dëmtim dhe nuk luan prej 4 ndeshjesh. Kalifornianët bënë gjithçka për ta ndalur Embijdin, por basketbollisti qendër ishte i papërballueshëm duke fituar shumë faulla personalë, e duke shënuar 16 nga 18 gjuajtjet e lira.
Sfidanti.al