Derbi dihet që është derbi, një “minë me sahat” që nuk dihet se kur dhe ku shpërthen, e që është në gjendje “të varrosë” një ekip e të “ngrejë nga varri” tjetrin. Nuk pritet që derbi në “Etihad” të ketë një pasojë të tillë, por gjithsesi tregoi se llogaritë përpara tij janë të kota. Dolën të gabuar analistët që i qanin hallin Mançester Junajtidit dhe ngrinin në qiell Mançester Siti. Ndoshta edhe me qëllim, sipas zakonit për të ndjekur pas rezultatet, nuk e menduan se “djajtë e kuq” mund të luanin pikërisht si “djaj”.
Junajtidi fitoi 2-0, por Siti mbeti larg në tabelë, ndërsa trajneri i tij, Pep Guardiola, nuk ishte i bindur për rezultatin. “Ndaj Uest Hemit fituam duke mos merituar të fitonim, – tha ai, – ndërsa sot humbëm duke mos merituar që të humbisnim. Kështu e ka futbolli, por gabuam përpara portës. Kanë mbetur edhe 10 ndeshje dhe ne do të përpiqemi të marrim maksimumin e pikëve që nga e mërkura, për të dalë kampionë”. “Jam i lumtur, – ishte deklarata e pritshme e Solskjerit të Junajtidit, – e nisëm shumë mirë ndeshjen, por pastaj vuajtëm. Ne u mbrojtëm mirë, dhe ushtruam presion ndaj topit. i lumtur për Ljuk Shoun që mund të mos luante, dhe shënoi një gol të madh”.
Vendasit patën epërsi territoriale dhe në gjuajtje, por ajo që vlen më shumë, goditjet brenda kuadratit ishin barabar, nga 6 secila skuadër. Siti mbajti topin 66 për qind dhe gjuajti 23 herë drejt portës ndaj të Junajtidit, që u tregua më i saktë dhe më cinik. Bruno Fernandez në minutën e 2-të dhe Ljuk Shou në të 50-të i dhanë suksesin “djajve të kuq”, të cilët zakonisht më mirë janë paraqitur në “Etihad” sesa në “Old Traford”. Gjithsesi, epërsia në krye e Sitit mbetet e madhe sepse ka 65 pikë në 28 ndeshje ndaj 54 të rivalëve, me të njëjtin numër ndeshjesh.
Sfidanti.al