Votimi u duk plebishitar, veçse jo për kreun e klubit, por për të. Fati i Lionel Mesit ishte një nga çështjet më të mëdha të fushatës elektorale për zgjedhjen e presidentit të ri, Zhoan Laporta. Ish-presidenti, që hodhi themelet e skuadrës “tiki taka” të Guardiolës në sezonin 2008-2009, mundi rivalët Font dhe Freiça, ndërsa menjëherë foli për Mesin.
“Dita e sotme, – tha presidenti, – shënon 20 vjet që kur një djalë i quajtur Leo Mesi debutoi për ekipin e të rinjve të Barcelonës. Është shumë e bukur ta shohim sot lojtarin më të mirë të botës të vijë të votojë bashkë me të birin. Leo e dashuron Barcelonën, ky është reflektimi që vjen nga ky veprim, më i miri i botës e dashuron klubin. Shpresojmë që ta bindim të qendrojmë. Kjo është gjëja që duam”.
Nëse katalanasit do të jenë kandidatë për tituj në La Liga e në Champions, atëherë 33-vjeçari mund ta mendojë sërish vendimin për braktisur ekipin e vetëm të jetës. E sigurt është që ardhja e Laportës do t’i japë fund luftës civile në klub, shkaktuar nga ish-presidenti Bartomeu, dhe njerëzit e tij pritet që të largohen shpejt.
Vendimi i parë i kreut të ri ishte caktimi i Ferran Reverterit si drejtor ekzekutiv të klubit në vend të Oskar Graut, që u arrestua për skandalin e fundit “barçagejt”. Pritet që Laporta të ndikojë edhe më tej në forcimin e skuadrës, pasi Barcelona po tregon rritje në fushën e lojës, siç u pa në ndeshjet e fundit në La Liga, dhe në kualifikimin për në finalen e Kupës së Mbretit.
Sfidanti.al