Përjashtime nga Kovidi dhe spektakël, Antetokumbo e Lebroni fitojnë Ndeshjen e Yjeve!

Kishte shiritin e kapitenit dhe në fund doli fitues, por në parket ishte thuajse si spektator. Kjo Ndeshje e Yjeve në NBA nuk ishte për Lebron Xhejmsin, me “Mbretin e basketbollit” që shënoi gjithsej vetëm 4 pikë, dhe me një hero tjetër pikërisht atë që shihet si pasardhësi. Janis Antetokumbo, rival i madh i Lebronit në kampionat, e nderoi kapitenin e tij pasi si shok skuadra i siguroi suksesin.

Ekipi i Xhejmsit fitoi Ndeshjen e Yjeve ndaj ekipit të Kevin Durantit, me shifrat 170-150, në edicionin e saj të 70-të. Ylli i Miluokit shkëlqeu mbi të gjithë në Arenën e Atlantës duke shënuar 35 pikë në më pak se 20 minuta. Në përfundim, Antetokumbo u shpall Lojtari më i mirë. Në ekipin fitues ishin edhe Lilard i Portlendit me 32 pikë, Stefën Kërri me 28, si dhe yjet europianë Jokiç e Donçiç. Jokiç i Denverit pati vlerësim shumë të lartë, ashtu si Kris Pol.

Ishte një Ndeshje Yjesh krejtësisht e pazakonshme, së pari për shkak të pandemisë. Në tribuna kishte pak spektatorë, dhe salla nuk pati atmosferën që ka qenë dikur me mbi 20 000 të pranishëm. Nuk pati yje të Hollivudit apo të tjerë në rreshtin e parë, madje dy lojtarë u përjashtuan pasi prenë flokët. Këta ishin Zhoel Embiid dhe Ben Sajmëns, që nuk u lejuan të hynin në Arenë sepse berberi i tyre doli pozitiv me Kovid.

I pazakontë edhe fakti që kapiteni i ekipit tjetër, Kevin Duranti, nuk luajti për shkak dëmtimi, dhe skuadrës së tij i munguan edhe të lënduarit e tjerë, Entoni Dejvis e Devin Buker. Tek humbësit, më të mirët ishin Bredli Bil me 26 pikë, dhe Kajri Irving me 24. Natyrisht, nuk bëhej fjalë për një ndeshje, por për një sfaqje, ku pati vetëm sulm dhe jo mbrojtje. Kështu përfundoi kjo fundjavë, në të cilët yjet nuk patën aspak të dëshirë të vinin, por që u zhvillua për të respektuar traditën e basketbollit amerikan.

Sfidanti.al