Gjithçka mund të pritej, por kjo jo. Një ekipi shumë i vlerësuar si Laçi, i cilësuar si favorit për titullin në Superligë, gaboi dhe barazoi në shtëpi ndaj Apolonisë së vendit të fundit. Pasi fierakët ndalën më parë Partizanin, dhe pasi të kuqtë u mundën nga Skënderbeu, e Bylisi i mori pikë Teutës, tashmë kuptohet se ekipet e fundit të tabelës nuk do të jenë në kampionat sa për numër.
E thënë kjo, duhet pohuar se kurbinasit i prishën punë vetes, pasi patën epërsi të plotë ndaj kundërshtarit duke luajtur në një gjysmë të fushës, madje shumë pranë zonës së portës mike. Rastet ishin të shumtë, edhe pse goli erdhi vetëm në nisje të pjesës së dytë. Kur Shehu shënoi me asist të Mazrekajt, u krijua përshtypja se ekipi i trajnerit Shpëtim Duro realizoi pjesën më të vështirë, dhe se më pas do të ishte në zbritje. Nuk ndodhi ashtu, dhe pse laçianët i patën mundësitë për golin e dytë.
Në kundërshtim me rrjedhën e lojës, Apolonia e teknikut italian Kamarata pati gjuajtjen e parë në portë në 80’, dhe barazoi dy minuta para fundit, pas një gabimi të portierit vendas, Sherri. Çfarë ndodhi me Laçin? Ndikuan padyshim edhe mungesat si Nuabueze, Xhixha apo edhe Mazrekaj që hyri pas pushimit, por bëri të vetën trysnia ndaj një ekipi që nuk është mësuar të luajë për titull. Pas këtij barazimi, Laçi u barazua me pikë me Teutën dhe me Vllazninë, me nga 41 pikë, ndonëse shkodranët luajnë po sot ndaj Kukësit. Apolonia, ndërkaq, u ngjit në 15 pikë, dhe lufta për mbijetesë do të jetë e fortë bashkë me Bylisin e Skënderbeun.
Sfidanti.al