E ka gjetur më në fund plotësisht vetveten. Në moshën 24-vjeçare, Rej Manaj, po tregon vlerat e tij të vërteta, ndonëse fanelën e famshme të Barcelonës e vesh në kategorinë e tretë të Spanjës. Sulmuesi i kombëtares shqiptare shënoi gol dhe shërbeu asist në fitoren me përmbysje të ekipit B katalanas ndaj Jagosterës. Sfida në stadiumin “Johan Krujf”, ngjitur me kompleksin sportiv “blaugrana” u bë tepër e vështirë sepse skuadra mike arriti në epërsinë e dy golave.
Ishte pikërisht Manaj që nisi kthesën duke shkurtuar diferencën në 1-2, katër minuta para fundit të pjesës së parë, ndërsa pas pushimit gjithçka foli për ekipin e dytë të Barçës. Shqiptari mori pjesë edhe në golin e avantazhit katalanas të minutës së 56-të shënuar nga Lukas De Vega. Manaj ka shënuar 8 gola deri tani në këtë kategori të futbollit spanjoll, duke treguar një vazhdimësi që nuk e ka njohur më parë. Ai ka shërbyer edhe një asist, ndërsa është në formë shumë të mirë në prag të ndeshjeve eleminatore të Kupës së Botës ndaj Andorrës, Anglisë e San Marinos, në fund të këtij muaji.
Klubi katalanas pagoi 2.7 milionë euro gjithsej për kartonin e shqiptarit, nga të cilat 700 000 u paguan menjëherë, dhe 2 milionë të parashikuara si pagesa të ndryshme të mëvonshme. Gjithsesi, synimi i Manajt është të ngjitet në kategori më të larta, dhe në Itali besohet se e kanë kërkuar ekipe si Krotone apo Peskara Ngjitjen në kategori mund ta realizojë edhe me Barcelonën B, që ndodhet në vendin e tretë në grupin 3 të grupit A, në Divizionin e dytë B. Me këtë pozicion, katalanasit janë në zonën e duhur për të pretenduar ngjitjen në kategorinë e dytë.
Sfidanti.al