Guardiola ka frikë për Championsin, pas humbjes në Premier!

Vendi i pestë është 8 pikë larg, një diferencë të paktën më pamje të parë, qetësuese. Gjithsesi, Pep Guardiola nuk është aspak i qetë dhe i bie fort “këmbanës së alarmit” për futbollistët e tij që duken të çoroditur. Edhe pse kampionë të Anglisë dy herë radhazi, yjet e Mançester Sitit pësuan një humbje të rëndë 2-3 në fushën e Uolvesit, e pesta për ta këtë sezon të Premier Ligës. i ndodhur në një situatë thuajse pa precedent, trajneri katalanas lëshoi një thirrje të fortë.

“Rrezikojmë të mbetemi jashtë Europës (Championsit), – tha ai, – nëse nuk reagojmë, kjo mund të ndodhë, ndaj duhet të mobilizohemi më shumë se 100 për qind për të ndryshuar gjërat. Nuk duhet të dorëzohemi, ndryshe jemi të mbaruar”. Guardiola nuk pranoi të vendoste prioritete, tani që titulli duket i paarritshëm me Liverpulin 14 pikë përpara dhe me një ndeshje më shumë për të luajtur. “Nuk do të lejoj askënd që të flasë për prioritete, – tha katalanasi, – kjo mund të na shkatërrojë në kampionat. Të mos flasim për Championsin si përparësi, por të mbledhim veten në Premier”.

Mançester Siti ndoshta duket në pozitë të sigurt në vend të tretë, por kjo situatë do të ishte 100 për qind e pakënaqshme nëse do të përmendej në fillim të sezonit. Për më tepër, epërsia ndaj rivalëve që janë më poshtë nuk duket e sigurt, pasi Totenhemi e Mançester Junajtidi janë në gjendje që të rivalizojnë sapo t’u jepet rasti.

Sfidanti.al