Juventus po fiton garën për Halandin, ylli norvegjez drejt Serisë A!

Kërkonin një CR7 të ri dhe duket se do ta kenë. Juventusi dhe drejtuesit e tij mendonin ethshëm për të ardhmen, dhe shpejt pritet të kenë “sozinë” e Kristiano Ronaldos, që quhet Erling Haland. Sulmuesi 19-vjeçar i Salcbugut ka pasur një shkëlqim të jashtëzakonshëm këtë sezon, me 28 gola dhe 7 asistë në 22 ndeshje, dhe për të vazhdon konkurrenca mes disa prej klubeve kryesorë të Europës.

Juventusi besohet se është gati të paguajë 30 milionë eurot për kartonin e tij, ndërsa pritet të diskutohet për rrogën, pasi Halandi kënaqet vetëm me 8 milionë euro në sezon. Në favor të kampionëve të Italisë është fakti se norvegjezi ka si agjent italianin Mino Raiola. Shefat juventinë si Anjeli, Paratiçi e Nedved po punojnë fort për të përforcuar skuadrën, e cila këtë sezon nuk duket aq dominuese sa vitet e kaluara.

Halandi e kërkon edhe Mançester Junajtid, madje u mendua se trajneri Ole Gunar Solskjer kishte avantazh ndaj rivalëve sepse kishte punuar me 19-vjeçarin te klubi norvegjez i Moldes. Mediat britanike shkruajnë me dëshpërim se Junajtid nuk ka shumë shanse pas ndërhyrjes së Juventusit, por gjithsesi tabloidet kanë edhe një variant tjetër. Sipas tyre, Mançester Junajtidi mund të mos ketë nevojë për Halandin, sepse në përbërje ka lojtarë shumë të mirë si Rashford, Marsial apo të riun Grinvud.

Sfidanti.al