Vendimi juridik në Australi shkoi në favor të numrit 1 të botës, ndonëse media serbe dhe australiane thonë se ekziston sërish rreziku që ai të dëbohet. Gjithsesi, gjykatësi e hodhi poshtë vendimin e autoriteteve për t’ia hequr vizën për të hyrë në vend. Sipas gjykatës, vendimi i autoriteteve ishte bërë me shkelje, sepse Gjokoviçi kishte me vete jo vetëm vërtetimin e dhënë nga autoritetet vendase që e lejonte të hynte në Australi si përjashtim nga rregulli, por edhe dokumente mjekësore që vërtetonin përjashtimin, ndonëse këto të fundit nuk ishin të detyrueshme për t’u paraqitur. “Çfarë mund të bënte Gjokoviçi më shumë se kaq?”, – tha gjyqtari. Tashmë, sipas vendimit të gjykatës, Nole ka mundësi të marrë pjesë në Australian Open ndërsa autoritetet duhet të paguajnë dëmet. Tenisti numër 1 në botë, 34-vjeçari nga Serbia, u mbajt në një qendër famëkeqe të izolimit të emigrantëve në Melburn, që kur u ndal në kufi, ndërsa pati reagime të gjera në botë kundër këtij trajtimi.
Sfidanti.al