Gjokoviçi si Muhamed Aliu, kur njeriu i reziston politikës së ditës!

Në 1966, boksieri më i madh i botës në atë kohë (ende cilësohet numri 1) mori një vendim që pati jehonë të madhe, dhe po ashtu pasoja të mëdha për të personalisht. Muhamed Ali refuzoi të shërbente në ushtrinë amerikane për të luftuar në Vietnam. Arsyetimi i tij ishte që nuk kishte punë me vietkongët, që të shkonte 10 000 km larg SHBA-së për të sulmuar një popull tjetër “me ngjyrë” ndërsa zezakët në lagjet amerikane trajtoheshin si kafshë. Ai e ndryshoi emrin nga Kasius Klej në Muhamed Ali duke u bazuar tek feja e tij myslimane për refuzimin. Në fund, në 1971, ai e fitoi çështjen gjyqësore ndaj shtetit amerikan, por pasi vuajti pasoja të mëdha. Në 1966 e 1967, lufta e Vietnamit ishte ende popullore në Amerikë dhe opinioni publik, mediat dhe organizatat sportive i dolën kundër. Aliut iu hoqën titujt botërorë dhe licenca si boksier për 3 vjet, por ai rezistoi deri në fund me personalitet të fortë derisa doli fitues. Në 1971, ai u bë hero pasi opinioni publik amerikan u kthyer kundër luftës në Vietnam që në 1968.

Novak Gjokoviç nuk ka folur ende kaq hapur kundër parimit detyrues për vaksinim, siç bëri Muhamed Aliu me luftën në Vietnam, por gjithsesi veprimet e tij kanë qenë të qarta. Tenisti serb, numri 1 i botës, është kundër detyrimit për t’u vaksinuar dhe kjo bëri që të mos përkulej, të rezistonte ndaj detyrimit ligjor në Australi për diçka të tillë. Ai mori parasysh rrezikun, u dëmtua shumë në aspektin personal duke u dëbuar nga Australia, duke humbur mundësinë për të mbrojtur titullin në Australian Open, e ndoshta duke rrezikuar karrierën. Një sakrificë e madhe për të mbrojtur një parim. Jemi apo nuk jemi pro vaksinimit, mbetemi të lirë të mendojmë ndryshe (në SHBA, gjykata e hodhi poshtë këtë detyrim), dhe sidomos që të mos bëjmë gjueti shtrigash ndaj atyre që mendojnë ndryshe nga ne. Besohet se Gjokoviç do ta vazhdojë këtë betejë, ashtu siç është i vetmi tenist nga milionerët që krijon sindikatë për të ndihmuar financiarisht tenistët me më pak faj sesa ai. Jo më kot, legjenda e tenisit amerikan, Xhon Mekinro, e ka cilësuar Gjokoviçin si një “Robin Hud të sportit tonë”!