I verdhë, autogol, gol; Gjasula: Rëndësi ka që ekipi të fitojë!

Në përfundim, “Bildi” i dha notën 3 që nuk është shumë e lartë, por gjithsesi mund të ishte normale në krahasim edhe me shokët e tjerë të ekipit. Klaus Gjasula pati një ndeshje të vështirë këtë fillim viti me Darmshtatin duke arritur të shmangnin humbjen me Karlsruhen ndërsa luanin në shtëpi në Bundesligën e dytë. Përfundimi ishte 2-2, në një pasdite që u quajt shumë e veçantë për mesfushorin e kombëtares shqiptare. Ai mori karton të verdhë (një specialitet i veçantë i tij), shkaktoi autogol për 0-1, por pastaj me kokë barazoi në 1-1. “Nuk e kisha llogaritur se do të shënoja ndonjë gol, – tha Gjasula më pas, – gjithsesi, jam i lumtur me golin tim dhe me reagimin. Ne duhej të kishim fituar, por nëse nuk do të kishin qenë me fat, mund të kishim humbur”.

Darmshtati është në vend të dytë në renditjen e Bundesligës së dytë, me 36 pikë dhe vetëm 1 pikë pas Sent Paulit, duke qenë në zonën që të ngjit në Bundesligë, 3 pikë nga rivali më i afërt që është Hajdenhajmi. Ndoshta Gjasula mund ta provojë sërish elitën gjermane, siç bëri me Paderbornin.

Sfidanti.al