“Ajo do të jetë ylli që do të udhëheqë familjen tonë nga qielli”. Këto fjalë prekëse shpërndau Luis Enrike, legjenda spanjolle e futbollit, duke lajmëruar shuarjen e vajzës së tij 9-vjeçare, Hana (Xana). Ish-trajneri i Barcelonës dhe i Spanjës mori goditjen më të rëndë që mund të marrë një njeri, një prind, tragjedinë që nuk i urohet as armikut, ndërsa dhimbja për të, dhe gruan e tij Elenën, nuk mund të ngushëllohet kurrë sa të kenë jetë. Për fat, çifti ka dy fëmijë të tjerë, djalin 19-vjeçar Panço dhe vajzën 18-vjeçare Sira.
Vajza e vogël kishte 5 muaj e diagnostikuar me një lloj kanceri të kockave, të njohur si osteosarkoma (osteosarcoma), dhe pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk mundi të mbijetonte. Kishte qenë kjo arsyeja, tepër madhore, që Luis Enrike u largua nga kombëtarja e Spanjës. Natyrisht, ai do të kthehet shpejt në detyra të tjera, pasi puna është bari më i mirë shërues për çdo dhimbje. Në këto momente kuptohet më mirë ajo që është thënë për futbolli që në fillimet e tij, “është gjëja më e rëndësishme, ndër të parëndësishmet”.
Sfidanti.al