Një ditë të bukur, pikërisht dje, një grup vajzash me uniformën e tyre sportive, morën rrugën me një fugon të klubit drejt një fshati aty afër. Ato ishin futbollistet e skuadrës së Bundesligës së femrave, SC Zand (Sand), dhe kishin vendosur të jepnin një dorë ndihmë në një periudhë të vështirë për shkak të epidemisë. Ndihma e tyre ishte për mbledhjen e asparagusit në fusha. Karantina në Gjermani duket nuk është aq e ashpër sa këtu në Shqipëri apo diku tjetër, dhe vajzat nuk deshën të rrinin kot. Në fund të fundit, futboll nuk mund të luajnë, pra le ta bëjnë ndonjë punë.
“Ne jemi këtu për të ndihmuar, – thotë 25-vjeçarja, Zelina Hynerfaut (Huenerfauth), – koha është e mirë dhe ne po përpiqemi të bëjmë diçka të dobishme”. “Shpresojmë të japim një dorë, – thotë mesfushorja serbe, Dina Blagojeviç, – nuk është aspak e lehtë të jetosh duke mos bërë asgjë”. Skuadra e femrave është krenaria e klubit të Zandit, pasi luan në Bundesligë, ndonëse përfaqëson një qytezë me më pak se 8 000 banorë në Baden Vyrtenberg, ngjitur me kufirin francez të Alsazës.
Sfidanti.al