Rinovime e bisedime, Juventusi “mund” edhe koronavirusin!

Trajneri Mauricio Sarri mund të jetë i qetë. Më saktë, ai duhet të mendojë më shumë për rezultatet dhe lojën e skuadrës së tij, sepse drejtuesit e Juventusit janë një garanci në këto kohë të vështira koronavirusi. Mediat italiane, konkretisht “La Gazeta delo Sporti” shkruajnë se klubi ka vepruar në kohë duke siguruar rinovimin me disa prej yjeve, ndërsa pritet që kjo të ndodhë edhe me të tjerët.

Mbrojtësi i rëndësishëm Leonardo Bonuçi ka firmosur kontratë të re. Bashkë me të, portieri titullar, polaku Vojçieh Shezni, i cili është treguar një zëvendësues i denjë i legjendës Xhanluixhi Bufon. Po ashtu, edhe lojtari i rëndësishëm ofensiv, kolumbiani Huan Kuadrado, që mund të luajë në mbrojtje, në mesfushë dhe në sulm, si edhe në pozicione të krahut.

Informacioni është që më urgjente është puna për kontratat e porterit veteran, Xhanluixhi Bufon, dhe për mbrojtësin gjithashtu veteran të qendrës, Xhorxho Kielini. Gardiani 42-vjeçar dhe mbrojtësi 35-vjeçar i mbyllin kontratat këtë verë, por tek Juventusi janë të bindur se mund të rinovojnë edhe për një sezon tjetër.

Gjithsesi, ka pikëpyetje për atë që cilësohet si personaliteti më i madh i skuadrës, pra për Kristiano Ronaldon, kontrata e të cilit përfundon në 2022. Sipas standardeve normale, këtë verë duhet të ketë bisedime, por superylli portugez ka fituar, pa asnjë dyshim, të drejtën që ta vendosë vetë fatin e tij, ashtu siç do të dëshirojë.

Po deri në 2022 vlen edhe kontrata e Dibalës, ndonëse drejtuesit juventinë thonë se pengesë është vetëm fakti që agjenti i sulmuesit  është i bllokuar nga karantina në Argjentinë. Ka pasur shumë dyshime për qendërmbrojtësin Matijs De Ligt, pasi holandezi ka luajtur pak këtë sezon. Klube në Angli e Spanjë interesohen për të, por Juventusi mendon se nuk duhet ta humbasë ish-kapitenin e Ajaksit.

Mesfushori francez, Blez Matyidi cilësohet i rëndësishëm nga trajneri, dhe do të mbahet, veçse prania e tij i pakëson shanset për lojë Adrien Rabiosë, që u mor nga Paris SG. Së fundi, trajneri Sarri duhet të gjejë mënyrën për të rikthyer në formë lojtarë të tillë si Federiko Bernardeski apo Dagllas Kosta që janë hija e vetvetes, por që edhe mund të largohen.

Sfidanti.al