Franca kualifikohet në Katar, Mbape shfaqet si ylli numër 1 i Botës!

U takonte të ishin të parët dhe nuk zhgënjyen. Franca u kualifikua për në raundin e dytë të Kupës së Botës pas fitores 2-1 ndaj Danimarkës, duke ua marrë në kthesë gjithë të tjerëve, siç mund të thuhet. Më në fund, ylli i Kilian Mbapesë ka nisur të shkëlqejë ashtu siç pritej dhe sulmuesi mund të thuhet se po merr vendin që i takon, si futbollisti më i mirë i botës. Ylli 23-vjeçar i Paris SG realizoi të dy golat për kampionët e botës në fuqi që dalë nga dalë po dalin si ekipi favorit për të triumfuar edhe në Katar, siç bënë në 2018 në Rusi. Tashmë, Mbape ka 6 gola në kupat e botës, dhe vetëm Pele me 7 ka më shumë përpara moshës 24 vjeç.

Gjithsesi, përballja me Danimarkën nuk ishte aspak e lehtë, edhe kjo diçka që pritej. Skuadra nordike, tepër e fortë fizikisht dhe e disiplinuar taktikisht, luajti pa frikë ndaj Francës dhe trajneri Didie Deshamp u desh të kujtonte se i kishte humbur tri përballjet e fundit me këtë rival. Sidoqoftë, statistikat nuk vendosin gjithmonë, sidomos kur flasim për një ekip si ky i “gjelave”. Barazimi i arritur nga Kristenseni doli vetëm i përkohshëm dhe francezët e merituan fitoren. Kampionët e botës kanë 6 pikë duke qenë të kualifikuar për në raundin e dytë, e duke zënë edhe vendin e parë. Australia është e dyta me tri pikë ndaj 1 të Danimarkës dhe Tunizisë.

Sfidanti.al