Formula 1, Maks Verstapen shpallet kampion i botës në Abu Dabi

E fitoi garën e madhe dhe përfundimtare me Ljuis Hamiltonin, pikërisht në sfidën e fundit të sezonit, dhe ishte sërish një betejë me emocione të skajshme. Maks Verstapen u shpall për herë të parë kampion i botës në Formula 1 pasi doli në vendin e parë, në një luftë “kokë më kokë” me Hamiltonin në pistën e Abu Dabit. Anglezi i Mercedesit u duk se po shkonte drejt titullit të tij të 8-të në karrierë, që do të ishte thyerje e rekordit të Mikael Shumaherit, duke e parakaluar holandezin në nisje e duke udhëhequr madje me diferencë, por drama më e madhe ndodhi në fund.

Makina e sigurisë u fut në pistë pas përplasjes së Kimi Raikonenit, duke lënë që dy pilotët të ishin pranë e pranë, dhe të luftonin në dy xhirot e fundit. Verstapeni bëri parakalimin e jetës pikërisht në fund dhe u mbrojt nga sulmet e Hamiltonit duke krijuar diferencë në fund. Një titull botëror plotësisht i merituar për holandezin e Red Bullit që arriti 10 fitore ndaj 8 të anglezit, dhe pati 10 “pole position” përballë 5 të rivalit të tij të madh. Në moshën 23-vjeçare mund të thuhet se ka lindur ylli i ri i Formula 1, ndërsa Hamiltoni 36-vjeçar duket e vështirë që të përsërisë sukseset e dikurshme. Ai ka rekordin e fitoreve dhe të “pole position”-eve në histori, ndërsa rekordin për titujt e ka bashkë me Mikael Shumaherin, e ndoshta Maks Verstapeni do të përpiqet që ta kalojë.

Sfidanti.al