Nuk dihet se kujt t’i besojë sot njeriu i shkretë, pasi edhe gënjeshtrat po lyhen gjithnjë e më shumë me ngjyrë të bardhë, e po thuhet se “interesi i përgjithshëm e do që të themi kështu”. Me pak fjalë, “qëllimi justifikon mjetin” dhe rasti i Kristiano Ronaldos na tregon se gënjeshtra nuk largohet asfare nga jeta jonë. Sidoqoftë, le të lëmë mënjanë për një moment dyshimet dhe të tregohemi besues. Masimiliano Alegri, trajneri i Juventusit, deklaroi se CR7 “kurrë nuk ka shprehur dëshirën për t’u larguar”. Kështu thotë tekniku i rikthyer, ndonëse kjo është e ndryshme nga fjalia direkte “nuk do të largohem”. Këtë, portugezi nuk e ka bërë, ndaj edhe mbetet dyshimi për të ardhmen e tij. Sidoqoftë, Alegri është një njeri serioz dhe i bën llogaritë për sezonin edhe me Ronaldon, madje do ta ketë në formacion superyllin për ndeshjen e kësaj jave në fushën e Udinezes në Serinë A. Ndoshta, një kalim tek Paris SG apo Mançester Siti me të vërtetë nuk do të ndodhë.
Sfidanti.al