“Tërmet” 5-0 ndaj Noruiçit, sa i frikshëm Siti pa De Brujnin dhe … Kejnin!

Kështu tha pas ndeshjes njëri nga yjet e dikurshëm të Skocisë, Pat Nevin. Duke ndjekur ekipin e Pep Guardiolës që triumfoi 5-0 në javën e dytë të Premier Ligës, Nevin deklaroi për BBC-në se i shihte kampionët si tepër të frikshëm. “Edhe pse humbën me Totenhemit, loja e tyre është e jashtëzakonshme, – tha ai, – edhe pse nuk kishin De Brujnin. Imagjino nëse marrin edhe Harri Kejnin sesa të rrezikshëm do të jenë këtë sezon”. Nevin nënvizon se Siti duhet të quhet pretendent kryesor për titullin sërish, ndonëse Mançester Junajtidi, Çelsi dhe Liverpuli duken gjithashtu të fortë. “Qytetarët” triumfuan me golat e shënuar nga Krul (autogol), Grilish, Laporte, Stërling dhe Mahrez. “Është shumë shpejt për të folur për titullin sepse jemi në muajin gusht, – tha Guardiola, – unë jam i lumtur me lojtarët e mirë dhe gjithmonë kam pasur besim tek ata. Mund të ndodhë që të humbasësh, por ne reagojmë gjithmonë. Edhe nëse nuk na vjen asnjë përforcim tjetër, unë jam i lumtur me ekipin që kam”.

Sfidanti.al