Në Itali thonë se Interi i dha një mesazh kampionatit, por fitorja ishte “e vërtetë” apo inerci?!

Po flasim për titullmbajtësit, për ekipin që i dha fund vjet pritjes 11-vjeçare për trofeun dhe padyshim që faktori psikologjik është shumë në favor. Gjithsesi, çfarë do të thotë fitorja 4-0 e Interit ndaj Xhenoas në nisje të Serisë A, dhe a mund të thuhet se zikaltërit janë sërish kandidatë seriozë për titullin? Rezultati dhe loja thonë “po”, edhe trajneri Simone Inzagi është i kënaqur. “Nuk mund të prisja nisje më të mirë, – tha ai, – kjo skuadër ka punuar shumë këto 45 ditë, dhe unë kisha besim se do të paraqiteshim mirë. Nuk ishte e lehtë, por treguam se jemi të fortë”. “Interi i jep një paralajmërim kampionatit, që tani duket dora e Inzagit”, – komenton “La Gazeta delo Sport”, ndërsa në Angli shkruajnë “no Lukaku,  no problem!”

Milan Shkriniar, Hakan Çalhanoglu, Arturo Vidal dhe Edin Xheko ishin autorët e golave dhe gjenovezët nuk patën asnjë mundësi të përballonin një stuhi të tillë. Xheko do të përpiqet të bëjë që të harrohet Lukaku, ndërsa Çalhanoglu ka “veshur këpucët” e Kristian Eriksenit. Edhe Inzagi duhet të bëjë punën e Kontes. Jo keq si fillim, me turkun që u bë i pari lojtar që shënon dhe jep asist në debutim për Interin që nga Ibrahimoviç në 2009. Aq e madhe ishte epërsia e vendasve saqë portieri mik, Sirigu, bëri disa pritje duke qenë ndër më të mirët në fushë.

Sfidanti.al