Me gjasë, për futbollin nuk do të mendohet. Ndërsa afron finalja e Ligës së Konferencës në Tiranë, shqetësimi është në rritje sidomos në Itali. Jo edhe aq për biletat dhe dhomat e hoteleve, çështje që tashmë duket e kapërcyer, por për atë së cilës të gjithë ia kanë frikën, përplasjes së tifozëve. Mediat e Romës japin alarmin sidomos për kapacitetin e Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, ku pritet që të mbërrijnë me dhjetëra mijë tifozë. Të përditshmet “Il Mesaxhero” dhe “La Republika” shkruajnë se aeroporti ka vetë një pistë për uljen e avionëve, gjë që vonon procesin e ardhjes së përkrahësve italianë e holandezë. Gjithsesi, frika më e madhe është se portat në “Nënë Tereza” janë shumë pranë njëra-tjetrës, dhe se ka vetëm një ambient të hapur ku mund të pihet duhan, e kjo do të thotë se tifozët e Romës dhe ata të Fejënordit mund të takohen me njëri-tjetrin ende pa mbërritur në stadium.
Dy palët e tifozerive janë përleshur para 7 vitesh duke krijuar probleme të mëdha, ndaj edhe alarmi është në maksimum. Në finalen e 25 majit pritet të vijnë rreth 70 000 tifozë italianë dhe mbi 20 000 holandezë, një numër tepër i madh për autoritetet shqiptare të rendit që nuk kanë përvojë për ndeshje të tilla. Kaq i madh kaq qenë dyshimi nëse Shqipëria mund ta organizonte sfidën, saqë UEFA mendoi ta kalonte finalen në stadiumin “Toshe Proeski” të Shkupit, ku është luajtur finalja e Superkupës së Europës në 2017 mes Realit të Madridit e Mançester Junajtidit. Gjithsesi, trofeu i Ligës së Konferencës do të jepet në “Arenën Air Albania” në Tiranë, dhe shpresa është që gjithçka të shkojë pa probleme.
Sfidanti.al