Tiranën e kanë zënë ethet e Ligës së Konferencës, një kompeticion që duket se UEFA e ka shpikur për të matur durimin e njerëzve, të cilët futbollin e kanë diçka shumë të rëndësishme në jetë. Pikërisht në këto ambjentet prej kohësh flitet për bileta, që për të gjetur ndonjë duket të fitosh disa lloj llotarish, thënë me fjalë të tjera, ose duhet të kesh fat në bixhoz, ose duhet të kesh njohje në Federatë, ku e kanë fituar prej kohësh ruletën e tyre. Stadiumi ynë Kombëtar është shumë i vogël për tifozeri si ato të Romës dhe të Fejnordit, por e njëjtja vuajtje do të vazhdojë edhe në finale e ardhëshme në Eden Arena të Pragës, një stadium me më pak ulëse edhe se i yni.
Megjithatë, kjo finale shërbeu për diçka. FSHF u shpërblye nga UEFA për ndërtimin stadiumit të sponsorizuar kryesisht nga kjo e fundit, por edhe ndikoi drejtpërdrejtë në heqjen e damkës së drejtuesve të zgjedhur nga Asambleja e re e futbollit. Tashmë, prej kohësh askush nuk dëgjon më deklarata agressive për korrupsion e përvetësime, gjë që deri në ditën e zgjedhjeve ishin të përditshme, aq sa krijuan përshtypjen se diçka e madhe po ndodhte. Kjo po që është “fair play” I vërtetë, kur të gjithë u kthyen në miq si dikur, pasi ky është edhe version original i situatës, ndërsa prag-Asambleja ishin vetëm ca ditë të mbushura me cjerrje të stisura, që u bënë të neveritshme.
“Ishulli i vetëm” që nuk kontrollohej nga shteti, mbeti sërish nën drejtimin e Dukës, ndërsa Bashkia e Tiranës tani po kontribuon me gjithë energjitë e saj për finalen, madje duke e ndihmuar “ishullin” simbol të korrupsionit me gati gjysmë milioni euro. Kështu që edhe kjo finale, e cila sipas kryeministrit do të zhvillohet në qytetin më të pastër të kontinentit, do të luhet sërish midis dy skuadrave me nga 11 futbollistë në fushë… dhe në fund fiton gjithmonë Duka.