Ia del vullneti dhe klasi i Interit, zikaltërit fitojnë Kupën e Italisë

Ishte me të vërtetë një betejë dëshire, dhe ai që do ta donte më shumë do ta fitonte trofeun e dytë të sezonit. Kësaj ia doli Interi, që pati vullnet më të madh sesa Juventusi në stadiumin “Olimpiko” të Romës të mbushur plot me 68 000 spektatorë. Në një përballje shumë të fortë, mes dy skuadrave me ide të ndryshme taktike, zikaltërit e trajnerit Simone Inzagi bënë më shumë lojën (57 për qind mbajtje topi), por bardhezinjtë u treguan po aq goditës sa ata (20-18 për torinezët gjuajtjet në portë, 8-10 në kuadrat).

Gjithsesi, Interi e meritoi sepse besoi deri në fund dhe sepse nuk donte  të kishte një tjetër zhgënjim pas atij të kampionatit që thuajse e ka marrë Milani. Ky ishte trofeu i dytë i fituar këtë sezon pas Superkupës së Italisë gjithashtu ndaj Juves (2-1 në “San Siro”). Inzagi mbetet mjeshtri i finaleve duke i fituar të pesta ato që ka luajtur si trajner deri tani. Kjo ishte kupa e parë për zikaltërit që nga viti 2011.

Juventus-Inter 2-4 (Barela 7’, Sandro 50’, Vlahoviç 52’, Çalhanoglu 80’ (p), Perishiç 99’ (p), Perishiç 102’)

Juventusi (4-4-2): Perin, Danilo (Morata 41’), Kielini (Artur 84’), De Ligt, Aleks Sandro, Kuadrado, Zakaria (Lokateli 68’), Rabio, Bernardeski (Bonuçi 67’), Vlahoviç, Dibala (Kean 99’).

Interi (3-5-2): Handanoviç, Shkriniar, De Vraj, D’Ambrozio (Dimarko 64’ (Bastoni 116’)), Darmian (Damfris 65’), Barela, Brozoviç, Çalhanoglu (Vidal 90’), Perishiç, Xheko (Korrea 63’), Lautaro Martinez (Aleksis Sançez 104’).

Sfidanti.al