Gigi Riva, që nuk i ka falur kurrë asgjë askujt, një herë tha: “Cagliari i Maran është shumë i bukur. Të gjithë e dinë çfarë duhet të bëjnë”. Komplimente më të mira zor se mund të ketë. Kanë kaluar gjashtë vite dhe Maran ka vendosur çfarë të bëjë me jetën e tij: ka shkuar të trajnojë Shqipërinë. Në moshën 62-vjeçare, për herë të parë do të jetojë jashtë Italisë, për herë të parë do të drejtojë një kombëtare dhe për herë të parë do të ketë një objektiv që nuk quhet mbijetesë apo ngjitje, por Botëror. Tingëllon ndryshe.
Maran është një antipersonazh, por jeta e tij fshihet në një detaj: është shumë i dashur në vendet ku ka qenë. Vlen për Catanian, që e çoi në rekordin e pikëve në Serie A: 56 në sezonin 2012-13, në vendin e tetë përpara Interit. Vlen për Chievo-n: katër vite, katër qëndrime në elitë, duke luajtur edhe me dy sulmues plus Birsa dhe Castro. Vlen për Brescia-n, ndalesa e fundit, me një mbijetesë të arritur pavarësisht vështirësive të shumta të klubit.
Pse ta ndryshosh jetën kur je 62 vjeç?
Sepse, kur Shqipëria më thirri, u emocionova. Menjëherë ndjeva se është një komb me krenari dhe ndjenjë përkatësie të jashtëzakonshme.
Dhe tani, ku do të jetoni? Në Tiranë apo në Itali?
Në Tiranë. Për mua kjo eksperiencë duhet jetuar kështu: të dielën do të zhvendosem dhe do të filloj punën e vërtetë. Dhe qyteti është i bukur, me një mikpritje të jashtëzakonshme. Gruaja ime, që është ‘interior deziner’ , do të vijë e do të shkojë: jemi mësuar.
Gianni De Biasi, që e çoi Shqipërinë në Europian, natën e parë në Tiranë flinte me një karrige pas derës, nga frika e ndonjë surprize të keqe. Paragjykime të kohëve të tjera… A keni folur me të?
Sigurisht, Gianni është mik, është personi i parë që kam telefonuar. E mbaj mend shumë mirë atë aventurë, tifoz isha për të. Më tha të mos kem dyshime, se po bëja zgjedhjen e duhur. Dhe se Shqipëria kishte bërë zgjedhjen e duhur duke më marrë mua. Më bëri shumë mirë kjo gjë. Çuditërisht, kam folur edhe me Igli Taren 20 ditë më parë në Milanello. Nuk mund ta imagjinoja që do të drejtoja kombëtaren e tij.
Le të zgjedhim një emocion të këtyre ditëve të para…
Fanella e Shqipërisë me emrin tim dhe numrin 28, si Europiani që duam të luajmë. Më dha ndjesi përgjegjësie dhe gëzimi.
Si bëhet rruga nga Trento në Tiranë pas 27 vjetësh përvojë?
Vij nga një familje artizanësh, njerëz që kanë punuar gjithmonë. Babai dhe vëllezërit e mi ishin në ndërtim, lyerje dhe veshje. Unë jam i njëjtë, nuk kërkoj skenën dhe më pëlqen të punoj.
Hera e parë në pankinë ishte në 1997-98: ndihmës i Silvio Baldini-t te Chievo. Tani njëri drejton Italinë, tjetri Shqipërinë, dhe duket e pabesueshme. Ta themi: sa i “çmendur” është Baldini nga 1 në 10?
Jo aq shumë, më besoni. Ka karakter shumë të fortë, por gjithmonë e di çfarë bën. Unë do t’i jem gjithmonë mirënjohës, më kishte premtuar se do të më çonte në Serie B dhe një orë pasi mori pankinën më thirri. Brenda 10 sekondash lashë futbollin dhe i thashë po.
Momenti më i vështirë dhe më i bukur si trajner?
Më i vështiri, te Genoa, kur kishim 22 lojtarë me Covid. Një pasiguri totale. Më i bukuri, debutimi në Serie A, Roma-Catania 2-2 në gusht 2012: po fitonim duke luajtur mirë, na barazuan në minutën e 91-të dhe në shtesë goditëm traversën me Castro-n. Ishte prova që kishim shkuar aty për të fituar, jo për të marrë një pikë.
Çfarë keni mësuar në 10 vitet e fundit?
Jam bërë më tolerant. Më parë kisha më pak durim, nëse gjërat nuk shkonin si doja unë, zemërohesha shumë. Kam mësuar të pranoj një mënyrë tjetër të jetesës së futbollit.
Një shembull?
Pitu Barrientos te Catania. Dukej dembel, por tani e kuptoj që më ka dhënë gjithçka. Më saktë, gjithçka që kishte.
Nicolò Barella është lojtari më i fortë që keni stërvitur?
Vështirë të përgjigjesh. Papu, Barella, Srna, Nainggolan, Almirón, Pandev në fund të karrierës…”
Si është të stërvitësh Nainggolan?
Spektakël. Jashtë fushës është… le të themi energjik, por ta kesh në fushë ishte kënaqësi. Të bënte krenar.
Cili objektiv do t’ju bënte krenar me Shqipërinë?
Objektivi është të kthehemi në Ligën B të Nations League dhe të kualifikohemi në Europian. Ëndërroj të bëjmë rezultate të mëdha dhe të shkruajmë histori. Falënderoj presidentin Duka për zgjedhjen: stadiumi i Tiranës më la pa fjalë, mezi pres të punoj aty. Dua të shikoj sa më shumë stërvitje dhe të mësoj shqip për të folur me lojtarët. Dua të bëj futbollin tim: proaktiv, vertikal, luftarak. Arritja e rezultateve me djersë është në ADN-në e kësaj kombëtareje.
Bëjmë një test me dy pyetje për të kuptuar çfarë trajneri do të jetë Maran. Pyetja e parë: kombëtarja juaj e preferuar e të gjitha kohërave?
Italia e ’82. Isha 19 vjeç dhe doja të bëhesha futbollist: mosha ideale për ta vlerësuar. Pastaj Holanda e Cruyff-it. Luante futboll aq të avancuar sa ne fëmijëve na dukej si ëndërr.
Pyetja e dytë: lojtarët tuaj të preferuar sot?
Ata teknikët. Pedri, Olise, Mbappé.
Dhe atë frazën e Gigi Riva-s për Cagliari-n tuaj e mbani mend?
Si mund ta harroj? Riva ishte burrë me ‘B’ të madhe, një kampion. Do të jem gjithmonë krenar për ato komplimente.

