Botërori 2030 mund të ketë 66 kombëtare

FIFA po shqyrton një tjetër zgjerim të madh të Kupës së Botës, ku nga 48 kombëtare sa do të marrin pjesë në edicionin e ardhshëm, numri mund të rritet deri në 66 skuadra për Botërorin e vitit 2030. Sipas raportimeve ndërkombëtare, ky propozim është duke u diskutuar seriozisht brenda strukturave të FIFA-s, e cila e sheh turneun si një “festë globale të futbollit” dhe një mundësi për të përfshirë më shumë shtete që nuk kanë arritur kurrë të kualifikohen. Botërori 2030 është planifikuar të zhvillohet në Spanjë, Marok dhe Portugali, ndërsa disa ndeshje hapëse pritet të luhen në Argjentinë, Uruguaj dhe Paraguaj, për të shënuar 100-vjetorin e edicionit të parë të Kupës së Botës.

Sipas medieve ndërkombëtare, ideja e zgjerimit është përmendur fillimisht pas një kërkese të CONMEBOL dhe ka fituar mbështetje graduale brenda FIFA-s, megjithëse ende nuk është marrë një vendim final. Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, e sheh këtë format si një mënyrë për ta kthyer turneun në një ngjarje edhe më përfshirëse globale, duke u dhënë mundësi më shumë vendeve të marrin pjesë në skenën më të madhe të futbollit.

Megjithatë, çdo ndryshim zyrtar nuk pritet të konfirmohet para përfundimit të Botërorit 2026, që do të luhet në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë.

Sfidanti.al