Rikthimi i Neymar-it në kombëtaren e Brazilit për Botërorin 2026 ka shkaktuar debat të madh në vendin e futbollit. Vendimi i trajnerit Carlo Ancelotti ka ndarë opinionin publik, mediet dhe madje edhe politikën braziliane. Sipas raportimeve, Ancelotti ishte i pavendosur deri në momentet e fundit për përfshirjen e sulmuesit 34-vjeçar, i cili prej vitesh është përballur me dëmtime të shumta dhe mungesë vazhdimësie. Megjithatë, ndikim të madh në vendim kanë pasur disa prej liderëve të skuadrës, mes tyre Casemiro, Raphinha, Vinícius Júnior dhe Marquinhos, të cilët kanë dhënë garanci për sjelljen dhe gatishmërinë e Neymarit.
Casemiro besohet se ka qenë figura kryesore që ka shtyrë trajnerin italian të marrë këtë vendim. Lojtarët i kanë premtuar Ancelottit se do ta ndihmojnë Neymarin të qëndrojë i fokusuar dhe i disiplinuar gjatë turneut. Vendimtare ka qenë edhe një videotelefonatë emocionale mes Neymarit, Ancelottit dhe drejtorit të federatës braziliane, Rodrigo Caetano. Në atë bisedë, trajneri italian i bëri të qartë sulmuesit se nuk do të kishte vend të garantuar në formacion dhe as shiritin e kapitenit, ndërsa disiplinës do t’i kushtohej rëndësi maksimale.
Pavarësisht kritikave për formën fizike dhe mungesën e ritmit, Neymar vazhdon të mbetet simbol i Brazilit për shumë tifozë. Ai është golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtares me 79 gola, edhe pse goli i fundit me fanellën verdhejeshile daton në vitin 2023.
Kur emri i tij u shpall zyrtarisht nga Ancelotti në ceremoninë madhështore në Rio de Janeiro, tifozët shpërthyen në festë, ndërsa videot nga shtëpia e Neymarit treguan emocione dhe lot gëzimi nga familjarët e tij. Megjithatë, rikthimi i ‘yllit’ brazilian mbetet një bast i madh për Ancelotti-n. Nëse Neymar shkëlqen, ai mund të bëhet sërish heroi i Brazilit. Por nëse dështon, kritikat ndaj trajnerit italian dhe vetë lojtarit pritet të jenë të pamëshirshme.

