Pak ditë më parë, Barcelona shkaktoi një të papritur të madhe në basketbollin spanjoll duke mundur Realin në finalen e Kupës së Mbretit. E papritur jo se Barça nuk e ka mundur më parë ekipin madrilen, por sepse këto vite katalanasit kanë qenë në krizë. Me të vërtetë, krizën e tyre, “azulgranët” e treguan plotësisht në “El Klasikon” e radhës, atë që u luajt në Barcelonë për Euroligën.
Me një Luka Donçiç të aktivizuar pak, “los blankosit” u mbështetën tek amerikanët Xhejsi Kerrëll (18 pikë) e Entoni Randolf (16), si dhe tek madrieni Felipe Rejes apo edhe argjentinasi Kampaso e francezi Soser (Causeur). Pavarësisht nga “gjeniu” Svetislav Peshiç në stol, vendasit nuk patën përgjigje për kundërshtarin historik, i cili mbetet pretendent për të fituar Championsin e basketbollit, ndërsa katalanasit janë tashmë praktikisht të eleminuar. Jo më kot mbajnë vendin e parafundit me vetëm 7 fitore e 16 humbje.
Për Realin, fitorja ishte një detyrim në një konkurrim të ashpër ku duhet të ruajë vendin e katërt, pra avantazhin e fushës në çerekfinale. Për momentin, Madridi i trajnerit Lasa është pikërisht i katërti, me 14 fitore e 9 humbje, por po aq sa Zhalgirisi i Kaunasit dhe Himki i Moskës, pra asgjë nuk është e sigurt. Euroliga kryesohet nga CSKA e Moskës me 18 fitore e 5 humbje, ndjekur nga Olimpiakos i Pireut dhe Fenerbahçe e Stambollit.
Sfidanti.al