Për të u paguan 105 milionë euro “në dorë”, ndërsa bashkë me “shtesat” mund të shkojë në 140 milionë apo edhe 150! Flasim për Usman Dembelenë, një djalë 20-vjeçar, i cili duket se po “thyhet në mes” nga presioni i jashtëzakonshëm dhe nuk po del aspak në lojën e tij tek Barcelona.
Shqetësimi i katalanasve për sulmuesin e marrë nga Dortmundi është tepër i madh, dhe në klub po përpiqen të gjejnë shkaqet e mospërshtatjes së shpejtë. Besohet se mosha e re nuk e ndihmon Dembelenë, sidomos në një ekip kaq të shkëlqyer ku vështirë të gjesh vend. Po ashtu, fakti që jeton i vetëm, që di shumë pak katalanisht, e pengon të bëjë jetë kolektive me shokët.
Trajneri Valverde e ka aktivizuar pak, duke shpresuar që dalë nga dalë Dembele të përshtatet, por siç duket lojtarit ende i duhet kohë. Problemi është se me largimin e Nejmarit, dhe me mungesën e Kutinjos, Valverde ka nevojë për Dembelenë në Ligën e Kampionëve, pasi nuk ka lojtarë të tjerë me karakteristikat e tij. Shpresohet që me ndihmën e shokëve, sulmuesi francez të nisë “të çelë”.
Sfidanti.al