Armiqësia mes tyre ka qenë e tmerrshme këto kohë. Për momentin, futbolli nuk ka kundërshtarë më të hidhur sesa Zhoze Murinjo dhe Antonio Konte, dhe sherri verbal mes tyre përfundoi në një farë mënyre me shprehjen e italianit se “kjo është punë mes meje dhe atij, do ta zgjidhim kur të takohemi në “Old Traford” në 25 shkurt”.
Ja ku erdhi 25 shkurti, dita e takimit të dy armiqve, me Çelsin që do të vizitojë stadiumin e Mançester Junajtidit nesër pasdite. Akuzat kanë qenë të ashpra dhe nuk dihet nëse dy njerëzit do t’ia japin dorën njëri-tjetrit në fillim apo në fund të ndeshjes. “Sjellje prej klouni” dhe “i dënuar për baste” ishin akuzat e Murinjos, “i sëmurë nga mendja” dhe “njeri i vogël” ishin përgjigjet e Kontes.
Gjithsesi, Zhoze nuk deshi të hapte sherr një ditë para ndeshjes. “Nuk dua të flas për këtë gjë, – tha ai, – Konte është një trajner shumë i mirë dhe Çelsi një skuadër fantastike, kjo është gjëja më e rëndësishme”. Po Konte? “Kemi folur shumë në të kaluarën, – u shpreh italiani, – tani, boll më. Unë nuk flas më, nuk më intereson të flas për këtë temë”. Mbetet pra që trajnerët dhe skuadrat e tyre të flasin “gjuhën e futbollit”.
Sfidanti.al