“Rino” Gatuzo në provën e madhe, Milani shkon në Romë

Përpara përplasjes së “brirëve” me Arsenalin në Europë, Xhenaro Gatuzo do të ketë një provë gjenerale në Serinë A. Trajneri i Milanit do të shikojë sesi do t’i përgjigjet skuadra në një nga ndeshjet më të vështira të mundshme, atë në stadiumin “Olimpiko” ndaj Romës. i mbiquajturi “Rino” i ka dhënë karakter dhe zemër të madhe një ekipi “në rënie të lirë”, por sa do të vlejë në cilësi?

Gatuzo ka zgjedhur formacionin me Donarumën në portë, Bonuçin e Romanjolin në mbrojtje, Kesin, Bilian apo Bonaventurën në mesfushë dhe treshen nga e cila pret shumë në sulm, Suso-Kutrone-Çalhanoglu. Natyrisht, janë gati në stol sulmues të tjerë si Kaliniç, Silva apo Borini.

Po Roma? Trajneri Di Françesko po përpiqet të përshtatet vetë në këto nivele, me këtë denduri ndeshjesh. Roma është fytyra e tij, herë shumë e fortë dhe e bukur, herë delikate. Në mbështetje këtë herë do të ketë nja 70 000 apo 80 000 tifozë, ndërsa ekipi nuk duket keq, me portierin shumë të mirë Alison, dhe me lojtarët kryesorë të gatshëm si Strotman, Naingolan, Kolarov. Xheko mendohet titullar, por sipas mediave në Itali ka një balotazh me zviceranin Shik, ndërsa turku i ri, Ynder padyshim që është titullar.

Roma është e treta në Serinë A me 50 pikë, ndërsa Milani i shtati me 41.

Sfidanti.al