Bajerni pa fitore, Hajnkes e Levandovski pa rekordet e reja!

Edhe të plotfuqishmit nuk mund të dominojnë gjithnjë. Bajerni i Mynihut është padyshim skuadra më e fortë e Bundesligës, me diferencë të madhe me ndjekësit, por ndaj Hertës nuk pati vullnetin për të kërkuar dhe arritur fitoren. Përfundoi pa gola në “Alianc Arena” të Mynihut, me berlinezët që u habitën edhe vetë me pikën që morën, duke qenë skuadër poshtë mesit të tabelës. Bavarezët e patën epërsinë e pritshme, por ajo ishte shterpë, pasi u krijuan shumë pak raste.

Barazimi bëri që trajneri Jup Hajnkes dhe sulmuesi Robert Levandovski, që të dy të Bajernit, të mos vendosnin rekorde të reja. Hajnkes kishte arritur 14 fitore radhazi, ndërsa e 15-ta do të kishte qenë rekordi i ri. Levandovski, që luajti ndeshjen e 250 jubilare në Bundesligë, kishte shënuar në 11 ndeshje radhazi në shtëpi, ndërsa nëse do të kishte realizuar përsëri, do të kishte vendosur rekordin personal.

Ata nuk ia dolën, por Bajerni si skuadër nuk humbi thuajse asgjë. Diferenca me Dortmundin e vendit të dytë është 20 pikë, edhe pse Borusia nuk e ka luajtur ende ndeshjen e saj. Kjo distancë, kur duhen edhe vetëm 10 javë deri në fund të kampionatin, e bëjnë praktikisht të mbyllur çështjen e titullit kampion.

Sfidanti.al