Janë thuajse në ekuilibër në përballje të tilla, edhe pse Kupa e Mbretit mund të quhet “territori i Barcelonës”. Katalanasit dhe Reali kanë pasur vërtet shumë “El Klasiko” në garën e dytë më të rëndësishme kombëtare të Spanjës, dhe kualifikimet janë nga 10 për secilin ekip. Në gjysmëfinale, madje (siç do të ndeshen tani), madrilenët janë pak më mirë, me 4 kualifikime ndaj 3 të kundërshtarëve.
Në total, janë 34 ndeshje, me 15 fitore të katalanasve dhe 12 të Madridit, si dhe me 7 barazime. Golat janë thuajse barabar, 66-65 për skuadrën e “Kamp Nout”.
Kush mund të quhet, pra, favorit në këtë duel të dyfishtë? Barça ka qenë më lart këtë sezon, edhe në La Liga, në Champions, por mund të thuhet edhe në Kupë falë përmbysjes me Seviljen. Gjithsesi, kur luajnë dy ekipe të tilla, renditja dhe forma e momentit e humbin jo pak rëndësinë.
Po ashtu, e ka humbur rëndësinë fakti që ta luash ndeshjen e dytë në shtëpi (siç do të bëjë Reali), pasi vitet e fundit, Barça e ka pasur më lehtë në “Bernabeu”, dhe Madridi ka qenë pak më i sigurt në “Kamp Nou”. Pikëpyetja e vetme, është nëse trajnerët Valverde e Solari do të hedhin në fushë lojtarët më të mirë? Kjo, mund të vendosë shumë.
Sfidanti.al