Jasir Asani mund të rikthehet në listën e Kombëtares shqiptare për ndeshjet e muajit nëntor. Mediet iraniane raportojnë se sulmuesi i Esteghlal pritet të marrë një ftesë nga trajneri i kuqezinjve, pas mungesës në grumbullimet e shtatorit dhe tetorit.
Futbollisti shqiptar po kalon një moment pozitiv në kampionatin iranian, ku vetëm pak ditë më parë arriti të shënonte në barazimin 1-1 ndaj Çadormalu. Forma e tij mund të jetë një faktor në favor të rikthimit në përfaqësuese, e cila mund të përfitojë nga eksperienca dhe aftësitë e tij në repartin ofensiv.
Asani do të shtonte alternativat në krahun e djathtë të sulmit, një pozicion ku Shqipëria ka pasur pak zgjidhje në grumbullimet e fundit. Sabah Kerjota ishte i vetmi futbollist me profil të mirëfilltë në këtë rol, por nuk arriti të aktivizohej në fushë.

