Ejani në festën e golit, Lacio dëshiron titullin duke argëtuar!

Për Tomas Strakoshën nuk pati ndoshta shumë për të bërë sepse kundërshtari thuajse nuk ishte fare në ndeshje. Lacio-Sampdoria ishte si një rrugë njëkalimshe, dhe në “Olimpiko” ndeshja e Serisë A përfundoi 5-1 për vendasit. Diferenca me krerët Juventus e Inter zbriti, përkatësisht në -3 e -1 pikë, ndërsa ndryshesa e golave në të kundërt, është pozitive për të besuarit e trajnerit Simone Inzagi. Lacialët kanë shënuar 46 gola, shumë më tepër se juventinët, dhe gjithashtu më shumë sesa zikaltërit.

Kryefjala e tyre, përveç trajnerit, është sulmuesi Çiro Imobile, njeriu që nuk dëshiron të ndalet dhe që ndaj Sampdoria realizoi tri herë.  “Kiri i Madh”, siç e quajnë në Itali, ka 23 gola në 19 ndeshje, dhe nëse do të vazhdonte me këtë ritëm, do të arrinte në 46, një shifër që nuk është arritur kurrë në kampionatin italian. Për Lacion janë 11 fitore radhazi, po aq sa Roma e Spaletit në 2005-2006, dhe një më pak sesa Juventusi i Antonio Kontes. i paprekshëm duket rekordi i Interit të Mançinit me 17 fitore radhazi. Natyrisht, Inzagi nuk ka dashur kurrë ta ngarkojë psikologjikisht skuadrën e tij, dhe edhe para ndeshjes deklaronte se “duam fitoren ndaj Sampdorias, por synimi ynë real është Championsi”.

Sfidanti.al